Ky liber është mjaftueshëm realist, e veçanërisht njerëzor, duke pasur për objekt përditshmërinë e jetës së njerëzve të thjeshtë, kryesisht me personazhe reale, gjë që dëshmon ndjeshmërinë autorit ndaj dukurive dhe problematikave të sotme shoqërore. Por mbi të gjitha ai sjell atmosferën, frymën, pse jo shpirtin e vendit dhe bashkëkombësave të tij arbëreshë. |
Muzikantët është një libër i përbërë nga pesë tregime që karakterizohen nga diskurse që oscilojnë nga stili realist deri tek ai surrealist dhe, në këtë mënyrë, tekstet e tilla fitojnë statusin e surfiksionit. Primo Shllaku luan me perspektiva narrative dhe me zëra narrativë, duke u nisur nga temat e zakonshme për t’u katapultuar në një simbolizëm transcendental. Tregimet e tij krijojnë efekte të forta nga detajet, të cilat fokusohen nga autori për t’u kthyer në sugjestion semiotik. Duke qenë dakord me Truman Capoten se një tregim mund të fundoset edhe nga një ritëm i gabuar në fjali, ose nga një gabim në paragraf apo pikësim, Shllaku na i ofron tregimet si partitura muzikore ku me dorë mjeshtri është fiksuar melodia e gjuhës. |
Nudo është një vepër që trajton temën e pushtimit. Jo të pushtimit në kuptimin tradicional, por të pushtimit erotik. Prandaj, titulli alternativ i kësaj vepre, sipas dëshmisë së autorit, ka qenë Pushtimi i madh, kurse si moto e saj është vënë thënia e filozofit kinez Lao Tzu: Çdo pushtim është një dështim. Tematikisht vepra është provokacion erotik që aludon në një perversitet të madh: skulptori Alfred Boka zgjidhet drejtor i konviktit që ka njëmijë vajza dhe, befas, në një cep të trurit i vetëtin ideja për t’i pushtuar të gjitha. |
Pirandello, në këto tri drama, ashtu si edhe në krejt krijimtarinë e tij, nuk duket shkrimtar i disiplinuar, prandaj edhe suksesi i tij lidhet më shumë me sfidën që ia bën publikut (lexuesve dhe shikuesve) sesa me pritjen që iu bë nga studiuesit, apo madje edhe nga publiku. Pretendimet e autorit shkonin shumë më larg se teoritë moderne të kohës dhe ishin shumë më të mëdha se të pritmet e publikut. |
Ky nuk është libër me analiza, por një lloj përmbledhje reflektimesh që kanë dalë prej leximeve dhe dyshimeve të autorit. Pak a shumë, një koleksion konstatimesh që ai ka mbajtur nëpër margjina librash gjatë leximit të letërsisë shqipe, nga fillimi i saj deri sot. Jo analiza, jo recensione, por thjesht refleksione mbi ato që Apolloni i ka konsideruar probleme esenciale. |