Luigi Pirandello

Luigi Pirandello (1867-1936), dramaturg modern, reformator i teatrit në aspektin skenik dhe dramaturgjik, pioner i teatrit të absurdit, lindi në Kaos (Sicili) dhe gjithë vepra e tij është përshkrim i kaosit të jashtëm dhe të brendshëm njerëzor. Si njeri me karakter rebel, pati përplasje me familjen, me shkollën dhe me shoqërinë bashkëkohëse, nga të cilat vetëm betejën me familjen e humbi, pasi prindërit nuk e lanë të martohej me kushërirën e tij dhe e martuan me një çikë shpije, me problemet mendore të së cilës Pirandello merrej natën, ndërsa me çështjet artistike ditën. Në shkollë, për shkak të grinjdes me një profesor, e dëbuan nga Universiteti i Romës, por, për shkak të talentit të jashtëzakonshëm, një tjetër profesor ia sugjeroi Universitetit të Bonit. Në Gjermani, Pirandello u interesua veçmas për krijimtarinë e gjeniut Goethe, veprën Elegji romane të të cilit e përktheu në italisht dhe nën ndikimin e saj shkroi Elegji renane. Ishte pikërisht Gjermania ajo që ia hapi dyert e famës autorit italian, me romanin semi-autobiografik I ndjeri Matia Paskal. Kurse, përplasjet me shoqërinë italiane ishin pasojë e koncepteve të tij tepër të guximshme në lidhje me artin dhe, veçmas, me teatrin. Përveç polemikës legjendare me kritikun Benedetto Croce, njihet edhe tollovia e madhe që shkaktoi premiera e dramës së tij më të njohur, Gjashtë personazhe në kërkim të autorit, pas së cilës publiku i revoltuar shkaktoi kaos në sallë, duke kërkuar që Pirandellon ta mbyllnin në çmendinë.
Pirandello, nga mosha 12 vjeçare, kur shkroi tragjedinë e parë, nuk pushoi së shkruari e së provokuari deri në moshën 69 vjeçare, kur vdiq në vetmi, në shtëpinë e tij në Romë, po atë ditë që u bënë dy vjet nga pranimi ceremonial i çmimit Nobel. Edhe pse kontributi i tij është kolosal (rreth njëqind vepra) në të gjitha fushat: poezi (Dhimbje e ëmbël, Elegji renane etj.), ese (Humori, Arti dhe shkenca etj.), tregime e novela (pesëmbëdhjetë vëllime me titullin e përbashkët Novela për një vit), romane (I ndjeri Matia Paskal, Burri i saj, Një, asnjë dhe njëqind mijë etj.), suksesin më të madh e arriti në fushën e teatrit me dramat: Gjashtë personazhe në kërkim të autorit, Budallai, Epilogu, Shartimi, Rregullat e lojës, Njeriu, bisha dhe virtyti, Njeriu me lule në gojë, Kështu është, nëse ju pëlqen etj.