Agron Tufa

Agron Tufa (1967) është poet, prozator dhe kritik. Ka kryer studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës. Më vonë ka vazhduar studimet në Moskë, ku ka diplomuar në Filozofi Arti, e më pas ka përfunduar ciklin e tretë të studimeve në Teori Përkthimi, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky. Është profesor në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në Tiranë.

Ka përkthyer vepra të autorëve të njohur rusë, si: Brodsky, Akhmatova, Mandelshtam, Pasternak, Bulgakov, Nabokov, Sorokin, Zamjatin etj.

Veprat e tij janë: “Aty te portat Skee”, “Rrethinat e Atlantidës”, “Fabula Rasa”, “Dueli”, “Mërkuna e Zezë”, “Gurit të varrit ia rrëfej”, “Fragmentet e gjësë” etj. Krijimtaria e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është shpërblyer me çmime kombëtare.