Një kosovar në jetën time

Romani “Një kosovar në jetën time” i autores çeke Marketa Hejkalova flet për një kosovar të cilin narrator femër e njeh në kohën e tranzicionit të Çekisë dhe me të cilin e lidh diplomacia në kohën e tranzicionit të Kosovës. Pra, në roman kemi një linjë dashurie, një dashuri të braktisur, e cila vendoset në një hapësirë konkrete gjeografike dhe në një sfond real historik e politik. Romani “Një kosovar në jetën time” i Marketa Hejkalovës është një rrëfim tërheqës që flet për status quo të njerëzve dhe të shteteve; është roman që flet për Jolanën, një femër çeke, e cila ngelet shtatzënë me një kosovar, i cili e braktis atë e, për pasojë, edhe ajo e braktis fëmijën e saj. Më pas, e njëjta femër martohet me një serb, ndërkohë që djali i saj i braktisur bëhet një yll televizioni, ndërsa në faqet e fundit të rrëfimit shfaqet prapë kosovari me moshë tjetër, por me pasion të njëjtë. Kështu, ky roman me intrigë sa moderne, aq edhe klasike, tregon histori intime, private dhe shtetërore. I mbushur me dashuri dhe politikë, romani i Hejkalovës artikulohet si diskurs nostalgjik në planin personal dhe si diskurs ironik në planin social e politik. Gjithashtu, i shkruar si dëshmi nga jeta e një gruaje çeke, ai mund të lexohet si rrëfim për kosovarin “e saj” dhe për Kosovën tonë. Romani i Hejkalovës dallohet për teknikën e montazhit, për elipsat filmike, linjat dramatike dhe për atmosferën absurde, aq sa herë të duket sikur po lexon skenar filmi, herë tjetër sikur po shikon një shfaqje të teatrit të absurdit, ndërsa me dialogët politikë sikur kërkon një tëhuajsim nga linja emocionale për ta arritur funksionin e dramave epike, pra jo për ta prekur publikun emocionalisht, por për ta detyruar të shohë artin racionalisht, në mënyrë që mesazhi në shishe i hedhur nga autori të gjejë duart për ta hapur. Përktheu: Kestrina Peza

Autori: Marketa Hejkalova

Titulli: Një kosovar në jetën time

Faqe: 204

Viti: 2013

Cmimi: 6 Euro