Ismail Kadare (1936) është shkrimtari më i njohur shqiptar dhe aktualisht një ndër shkrimtarët më të njohur në botë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Veprat e tij janë përkthyer në mbi dyzetepesë gjuhë të botës. Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man Booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Romani përfaqësues i Kadaresë është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), i cili është një amplifikim i tregimit të tij me të njëjtin titull të botuar në vitin 1962 në revistën “Nëndori”. Me rastin e 50-vjetorit të botimit të tregimit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Shtëpia Botuese OM e ka botuar më 2012 si botim kritik (tregimin dhe studimin për të).