Në librin “Letërsia dhe miti” Osman Gashi zhvillon një dialog me letërsinë botërore dhe atë shqiptare, për t’i parë fenomenet, format dhe funksionet e tyre. Duke i shtyrë kufijtë kohorë sa më larg, interesimi i tij nis me mitin përtej të cilit nuk shkohet dhe nga i cili lind problemi i kohës. Studimi i tij tregon interesim për fenomene që e preokupojnë lexuesin gjithmonë, duke mos ngelur peng i një metode apo i një objekti. Prandaj, ky libër mund të lexohet edhe si një sugjerim për studime të pakufizuara, sepse e pakufizuar është vetë letërsia. Sa më shumë që teleskopët tanë bëhen të përsosur, gjithësia bëhet më e madhe, thuhet diku brenda këtij libri, i cili është një sprovë për përmirësimin e “teleskopit” të shkencës së letërsisë shqipe. Libri përbëhet nga tekste teorike (Mitet dhe mitologjia), analitike (Miti dhe kujfijtë e letërsisë, Miti dhe letërsia – dimensionet e kohëhapësirës, Parabola mitike, Romantizmi evropian dhe mitologjia greke etj.), krahasuese (Serembe dhe Leopardi, Lasgush Poradeci dhe Alfred de Myse, Dy skaje të prirjeve avangardiste dhe Vepra e Fishtës dhe tradita letrare botërore), problematizuese (Moderniteti dhe rizbulimi i vetvetes) dhe sugjeruese (Periodizimi i letërsisë dhe inkonsekuencat dhe Mësimdhënia e letërsisë dhe imazhet e diversitetit). Libri fillon me vrojtime teorike, pasohet nga tekste analitike dhe mbyllet me tekste pragmatike.
Autori: Osman Gashi
Titulli: Letërsia dhe Miti
Faqe: 354
Viti: 2014
Cmimi: 8 Euro