Ibrahim Berisha lindi më 20 mars 1955. Ka doktoruar në shkencat sociologjike, ka punuar si gazetar dhe redaktor shumëvjeçar i kulturës në “Rilindje”, redaktor në revistat “Ora”, “Ekskluzive”, “Albanica”, “Jeta e re”; ka qenë themelues i Qendrës për Informim të Kosovës dhe udhëheqës i saj (1990-1993). Është ligjërues universitar dhe Profesor i Asocuar i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Është një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i Kryesisë së Parë dhe të Dytë të LDK-së, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Ibrahim Rugova, si dhe këshilltar për arsim, shkencë dhe kulturë i presidentit Fatmir Sejdiu. Ibrahim Berisha është prozator, poet, publicist dhe kolumnist socio-kulturor. Për mbi dhjetë vjet ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërkohë është anëtar i Kryesisë së PEN Qendrës së Kosovës, si dhe redaktor përgjegjës në Revistën kulturore “Symbol”.
Disa nga librat e tij që përfshijnë poezi, tregime e novela, vepra sociologjike e kulturologjike janë: Mediat-Agjensët e komunikimeve, Konvergjenca intelektuale, Media dhe tranzicioni, Sociokulturë, Gruaja e vetmisë, Fryma e shiut, Të martën mbrëma, Origjina e rinjohjes, Hardhia e mureve, Sipërfaqja e së dielës, Fundi është i mundshëm, Kafazi i frikës, Fisi i mbretërve të humbur etj.
Është autor i tekstit universitar Zhanret e Gazetarisë dhe koautor i teksteve Sociologjia 11 dhe Sociologjia 12, për nxënësit e gjimnazeve. Ka një numër të punimeve akademike të botuara nëpër revista vendore dhe ndërkombëtare. Është përkthyer në gjuhën gjermane, angleze, frënge, sllovene, boshnjake, maqedonase, rumune, malazeze etj. Ka fituar shumë çmime letrare, ndër të cilat edhe çmimin vjetor për librin më të mirë të botuar në Kosovë (Origjina e rinjohjes) 1997 ndarë nga SHSHK, çmimin për librin më të mirë të prozës (Gruaja e vetmisë) MNF, Tetovë, 2000, Çmimin Vjetor të MKRS për librin më të mirë me ese (2009) etj.