Andrej Nikolaidis (1974) është prozator i përditshmërisë urbane të jetës ballkanike, të cilën e transponon në rrëfim antitradicional duke e mbushur me elemente dokumentare, por pa u shkëputur nga imagjinata kreative. Në përmbajtje të veprave të tij vërehet guximi intelektual, kurse në planin formal e stilistik të tyre ai shkëlqen si prozator i zhdërvjelltë dhe me kulturë të madhe leximi.
Si shkrimtar ka shkruar librat me tregime “Shqyrtime mbi indiferencën” dhe “Katedralja në Sijetll” dhe romanet “Pse Mira Furlan”, “Ata”, “Mimesis” dhe “Biri”; ndërsa si gazetar ka shkruar kolumne për disa gazeta dhe revista dhe njihet për polemikën e ashpër me regjisorin Emir Kusturica të cilin e ka quajtur “një nga yjet më të mëdhenj mediatik të kohës së Milosheviqit”.